Top Channel del blof, Finalistët ishin të shpallur ditë më parë (FOTO)





Spektakli “Big Brother VIP Albania” është rikthyer në qendër të debatit publik, pasi dyshimet mbi vërtetësinë e votimit nga publiku janë thelluar sërish. Shkak për këtë herë është bërë përzgjedhja e katër finalistëve: Rozana Radi, Laert Vasili, Gjesti dhe Egli Tako, e cila, sipas rrjedhës së ngjarjeve, është përfolur në media para se të shpallej zyrtarisht në spektakël.

Në rubrikën “Trotuar” të emisionit “E Diell”, të transmetuar të dielën në Top Channel, të ftuarit diskutuan pikërisht për këta katër banorë si finalistë të “BBV4”. Ajo që ka ngjallur reagime është fakti që emisioni “Trotuar” xhirohet ditë më parë dhe finalistët zyrtarisht u shpallën vetëm të shtunën mbrëma, duke ngritur dyshime serioze nëse emrat ishin të paracaktuar nga produksioni.

Për më tepër, në këtë puntatë nuk u përmend aspak incidenti i rëndë që ndodhi mes Jozefin Markut dhe Gjestit – ngjarje që ndodhi po të shtunën gjatë spektaklit live dhe që nëse “Trotuar” do të ishte xhiruar pas kësaj date, padyshim do ishte trajtuar si temë qendrore diskutimi.

Këto detaje kanë shtuar edhe më shumë mosbesimin e një pjese të publikut në lidhje me transparencën e formatit dhe me vendimmarrjen për qëndrimin ose eliminimin e banorëve. Prej kohësh është përfolur në rrjet se produksioni ka një rol të madh në rrjedhën e lojës, duke ndikuar në ecurinë e garës për qëllime të audiencës apo strategjive të brendshme.

Deri më tani, produksioni i “Big Brother VIP” nuk ka dhënë një sqarim lidhur me përputhjen e emrave të finalistëve në “Trotuar” dhe ato të shpallur më vonë në spektakël. Kjo situatë ka rindezur thirrjet për më shumë transparencë në formatet televizive që pretendojnë të jenë të bazuar në vullnetin e publikut.