‘Nuk fitova çmimin…’ Reagon Gerta pas daljes nga BBVIP, habit me qendrimin per produksionin

Pas më shumë se tre muajsh në shtëpinë më të famshme në Shqipëri, Gerta Gixhari ka përfunduar zyrtarisht aventurën e saj në “Big Brother VIP Albania”, duke arritur deri në fazën gjysmëfinale të spektaklit. Edhe pse nuk arriti të jetë mes finalistëve të mëdhenj të këtij edicioni, moderatorja e njohur është larguar me krenari, mirënjohje dhe dashuri për gjithçka që përjetoi në këtë eksperiencë unike.

Në një postim emocional në rrjetin e saj social Instagram, Gerta ndau reflektimin e saj pas daljes, duke e konsideruar këtë rrugëtim si një fitore personale, falë mbështetjes së madhe që ka marrë nga publiku.

“Pas një udhëtimi të gjatë dhe të paharrueshëm në ‘Big Brother VIP’, dola nga shtëpia me zemrën plot mirënjohje. Faleminderit secilit prej jush që më keni përkrahur, që më keni qëndruar pranë me fjalët, votat dhe dashurinë tuaj. Kjo përvojë do të ishte krejt ndryshe pa mbështetjen tuaj të jashtëzakonshme. Ju jeni forca dhe frymëzimi që më kanë mbajtur të fortë deri në fund,” – shkruan ajo.

Gerta falënderoi gjithashtu edhe produksionin për mundësinë dhe besimin që i dhanë për të qenë pjesë e formatit, duke theksuar se kjo eksperiencë nuk ishte thjesht një lojë për të, por një udhëtim shpirtëror dhe transformues.

Prej ditës së parë të edicionit, moderatorja u dallua për qëndrimet e saj, përballjen e qetë me konfliktet dhe një qasje të matur e të sinqertë në lojë, çka e bëri të fitojë respektin e shumë ndjekësve të programit. Ajo u bë një nga banoret më të nominuara të këtij edicioni, por arriti të mbijetojë vazhdimisht, falë mbështetjes së vazhdueshme të publikut.

Me daljen e saj nga shtëpia, Gerta shprehu bindjen se dashuria e publikut është çmimi më i madh që mund të marrë, duke shtuar se rrugëtimi në “BBVIP” mund të ketë përfunduar, por lidhja që ka krijuar me ndjekësit do të mbetet e paharrueshme.