Incidenti i ndodhur gjatë transmetimit të drejtpërdrejtë të spektaklit Big Brother VIP Albania, ku Jozefin Marku goditi me shuplakë banorin Gjestin, ka dominuar lajmet këtë të diel, duke nxitur një valë reagimesh në rrjetet sociale dhe media.
Menjëherë pas ngjarjes, Jozi u shoqërua në Komisariat, ku dha dëshminë e tij dhe u procedua në gjendje të lirë. Veprimi i tij ka ndarë publikun mes atyre që e mbështesin dhe atyre që e dënojnë.
Në rrjetet sociale, ndjekësit kanë shpërthyer me komente të përziera në profilin e tij, duke shprehur njëkohësisht zemërim dhe solidaritet. Disa e kanë përgëzuar për “guximin”, të tjerë e kanë quajtur të papranueshëm aktin e dhunës në një spektakël publik.
Megjithatë, incidenti ka sjellë një rritje të ndjeshme të numrit të ndjekësve të tij në Instagram. Në mbrëmjen pas incidentit, Jozi numëronte rreth 56.7 mijë ndjekës, ndërsa vetëm një ditë më vonë, kjo shifër ka kapur 67.5 mijë – një rritje prej gati 11 mijë ndjekësish.
Nga ana tjetër, për të frenuar valën e kritikave, Jozi ka vendosur të mbyllë komentet në postimet e tij, duke mos lejuar më ndjekësit të reagojnë publikisht në profilin e tij.
Spektakli dhe producentët ende nuk kanë dhënë një qëndrim zyrtar për mënyrën si do të trajtohet kjo ngjarje, ndërsa opinioni publik vazhdon të jetë i ndarë për atë çfarë ndodhi brenda shtëpisë më të ndjekur në Shqipëri.