Prindërit e Gjestit Marrin Masat Urgjente, Reagim i Fortë Pas Dhunës në Big Brother VIP

Pas incidentit të rëndë që ndodhi gjatë spektaklit “Big Brother VIP Albania”, ku konkurrenti Jozefin Marku goditi fizikisht Besart Kelmendin (Gjestin), ka reaguar për herë të parë edhe familja e Gjestit, duke shprehur indinjatë dhe tronditje për aktin e dhunës.

Në një deklaratë publike, familjarët theksojnë se “asnjë njeri nuk duhet të dhunohet — as brenda një loje, as jashtë saj”, duke e cilësuar sulmin si të papranueshëm dhe të padenjë për çdo format televiziv.

“Pamjet ishin të vështira për t’u parë, dhe akoma më të vështira për t’u përjetuar si njerëz që e njohim, e duam dhe e dimë sa zemërmirë është,” thuhet në deklaratë.

Pavarësisht incidentit, familja shpreh krenari për qëndrimin e Gjestit, i cili nuk reagoi me dhunë dhe ruajti qetësinë në një moment të vështirë.

“Krenarë që zgjodhi të mos reagojë, që qëndroi i fortë dhe i qetë edhe kur u sulmua padrejtësisht.”

Deklarata përfundon me një thirrje publike për drejtësi, reflektim dhe kundër dhunës, duke theksuar se kjo ngjarje nuk duhet të tolerohet dhe duhet të shërbejë si moment ndërgjegjësimi për shoqërinë dhe mediat.

“Dhuna nuk mund dhe nuk duhet të jetë kurrë pjesë e asnjë loje, asnjë formati, asnjë shoqërie që pretendon të jetë e shëndetshme.”

Familja falënderon gjithashtu publikun për mbështetjen, duke theksuar se dashuria e njerëzve i jep forcë Gjestit në këto momente.