Një nga figurat më të dashura të ekranit shqiptar, folësja e lajmeve Senada Jaho, është rikthyer në qendër të vëmendjes pas një kohe të gjatë larg syrit të publikut.
Senada, e njohur për zërin e saj karakteristik dhe prezencën e qetë në edicionet informative, ka lënë Shqipërinë për të ndërtuar një jetë të re në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ajo është tashmë nënë e një djali, lajm që surprizoi ndjekësit e saj, pasi moderatorja kishte zgjedhur ta mbante larg syrit të publikut periudhën e shtatzënisë.
Një fakt pak i njohur për publikun është se Senada është mbesa e ish-deputetes së njohur shqiptare, Mesila Doda. Pasi humbi nënën në moshën trevjeçare, Senada është rritur pranë gjyshërve, në të njëjtën shtëpi me tezen e saj, Mesilën, e cila në atë kohë ishte ende e pamartuar. Kjo ka krijuar një lidhje të veçantë mes tyre, të cilën të dyja e kanë përmendur në intervista të ndryshme.
“Kam një marrëdhënie shumë të ngushtë me tezen time, sepse jam rritur në shtëpinë e gjyshërve. Ajo ka qenë gjithmonë pranë meje, sidomos pas humbjes së mamit tim,” është shprehur Senada në një rrëfim të sinqertë. “Mamaja ime u nda nga jeta kur unë isha vetëm 3 vjeç. Nuk kam shumë kujtime, por mbaj mend momente të vogla, si kur më tregonte përralla apo kur më mbante pranë saj.”
Pavarësisht se mungesa e nënës është një boshllëk që e ka ndjerë gjatë gjithë jetës, Senada tregon se ndonjëherë ka qenë një “bekim në fatkeqësi” fakti që ishte ende shumë e vogël kur ndodhi tragjedia, pasi nuk e përjetoi aq thellë sa motra e saj më e madhe.
“Ndër vite, mungesa e saj është ndjerë gjithmonë. Edhe tani që jam bërë nënë, do doja shumë që të ishte pranë dhe të më shihte. Por e ndjej afërsinë e saj gjithmonë,” tha ajo me emocion.
Rikthimi i Senadës në vëmendje ka ngjallur interes dhe nostalgji tek ata që e kanë ndjekur në ekran, duke e kujtuar si një figurë të dashur dhe të respektuar të medias shqiptare.