Financoi fushatën e Ramës për diasporën në Itali, kush është shqiptarja, kandidate për…





Një investigim i publikuar nga Reporter.al ka zbuluar se fushata elektorale e kryeministrit Edi Rama për diasporën është financuar nga palë të treta. Sipas këtij raporti, disa reklama të sponsorizuara në rrjetet sociale promovojnë takimin që Rama do të zhvillojë nesër në Itali.

Hetimi, i kryer nga BIRN, tregon se në platformat e kompanisë Meta, këto reklama janë publikuar nga një faqe anonime në Facebook në bashkëpunim me një organizatë kulturore italiane të quajtur E20Italia Associazione Culturale.

Kjo organizatë drejtohet nga juristja dhe sipërmarrësja shqiptare me bazë në Milano, Vasenka Rangu Leka. Sipas të dhënave të publikuara në “Ads Library” nga Meta, deri ditën e premte, kjo fushatë reklamash ishte financuar me një shumë prej të paktën 866 eurosh.

Por kush është Vasenka Rangu Leka?
Vasenka Rangu Leka është një figurë e njohur në Itali për angazhimin e saj të gjerë me diasporën shqiptare. Ajo është drejtuesja e Qendrës Shqiptare në Itali, një prej organizatave më aktive në nivel europian për komunitetin shqiptar.

Gjatë viteve, ajo ka kontribuar në organizimin e qindra aktiviteteve dhe projekteve në fushën e diplomacisë publike, me synim promovimin e Shqipërisë dhe përhapjen e kulturës shqiptare në Itali.

Në vitin 2023, ajo mori pjesë në zgjedhjet parlamentare të rajonit të Lombardisë. Përveç angazhimit të saj në shoqërinë civile, ajo drejton një studio ligjore të njohur në Milano dhe ka bashkëpunuar me institucione të rëndësishme publike dhe private si organizata ACLI, Bashkia e Milanos, Fondazione Verga, Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, ndër të tjera.