Pas incidentit të bujshëm në spektaklin “Big Brother VIP Albania”, ku konkurrenti Jozi goditi fizikisht Gjestin gjatë transmetimit live, reagimet e publikut dhe të figurave publike kanë qenë të menjëhershme dhe të shumta.
Një ndër reagimet më të forta erdhi nga këngëtari Labinot Rexha, i cili në një intervistë për emisionin “Weekend” ndau detaje të reja dhe të panjohura më parë në lidhje me të kaluarën e Jozit, duke hedhur dyshime mbi karakterin dhe historinë e tij personale.
“Herë pas here ka qenë shumë agresiv. Ka talent të madh, këndon bukur, por derisa ishte në Zvicër kishte qenë në burg mbi tre vite, sa di unë, dhe njihet si një djalë agresiv,” – deklaroi Rexha gjatë emisionit.
Këto deklarata kanë ndezur diskutime të gjera në rrjetet sociale, pasi për herë të parë publikohet një e kaluar e errët dhe e papublikuar më parë për konkurrentin tashmë të përjashtuar.
Në vijim të reagimit të tij, Rexha publikoi një mesazh të drejtpërdrejtë në Instagram, ku u shpreh me tone të ashpra ndaj Jozit, duke shfaqur solidaritet me Gjestin dhe familjen e tij:
“Më vjen shumë keq për familjen e Gjestit.
Jozef Marku, haram të qoftë buka ime dhe e gjithë shqiptarëve të Kosovës që të kanë mbajt me bukë derisa ishe në Zvicër.
Humbe karrierën sado pak që e krijove.”
Ky reagim është pjesë e një vale më të gjerë reagimesh nga artistë dhe personalitete publike, të cilët po dënojnë aktin e dhunës dhe po kërkojnë më shumë përgjegjësi dhe transparencë nga produksioni i spektaklit, si dhe reflektim mbi mesazhet që transmetohen te publiku përmes formateve të ndjekura masivisht.