Autori dërgoi letër nga burgu për vrasjen e Ilaria Sulës, familja reagon ashpër

Mark Samson, 23-vjeçari me origjinë nga Filipinet i arrestuar për vrasjen brutale të studentes shqiptare Ilaria Sula në Romë, ka dërguar një letër pendese nga burgu “Regina Coeli”, ku ndodhet në arrest.

Në letrën e tij, Samson shpreh keqardhje të thellë për krimin që ka kryer dhe kërkon falje nga familja e vajzës:

“Çdo ditë më rëndon mendimi për krimin mizor që kam bërë dhe nuk gjej fjalë për ta shpjeguar. Nuk e di çfarë më ndodhi. E di që është e thjeshtë të thuash ‘më fal’ pas gjithë asaj dhimbjeje, por dua t’i kërkoj ndjesë Ilarias.

Nuk kisha ndërmend ta lija… U çmenda nga trishtimi dhe humba kontrollin. E kuptoj që asnjë fjalë apo veprim nuk mund ta lehtësojë dhimbjen e familjes së saj. Nuk po kërkoj të shmang përgjegjësinë. Jam i gatshëm të përballem me pasojat, pa asnjë justifikim.”

Megjithatë, kjo ndjesë nuk është pritur mirë nga familja e Ilaria Sulës. Avokati i familjes, Giuseppe Sforza, deklaroi për mediat:

“Letra e tij është më shumë një përpjekje për të reflektuar mbi veten, pa ndonjë ndjeshmëri të vërtetë ndaj asaj që ka ndodhur. Çdokush ka të drejtën të shkruajë, por po ashtu familja e Ilarias, prindërit, vëllai dhe të afërmit e saj kanë të drejtën të mos e pranojnë këtë ‘pendesë’. Asgjë nuk mund të fshijë mizorinë e atij akti.”

Autoritetet italiane vijojnë ta mbajnë Samsonin nën vëzhgim të rreptë për shkak të shqetësimeve se ai mund të ndërmarrë veprime vetëlënduese.

Krimi tronditës që ndodhi disa javë më parë vazhdon të shkaktojë reagime të forta në opinionin publik italian, ndërkohë që hetimet janë ende në vijim për të zbardhur plotësisht ngjarjen tragjike që i mori jetën 22-vjeçares shqiptare me një të ardhme premtuese.