Gjykata Kushtetuese ka vendosur të lërë në fuqi dënimin me burgim të përjetshëm për Fatjon Karmeshtnën, i cili është shpallur fajtor për vrasjen e Suela Sulës në fshatin Melgushë të Shkodrës, ngjarje e ndodhur në prill të vitit 2016.
Vendimi i Kushtetueses konfirmon dënimet e dhëna më herët nga të tria shkallët e gjyqësorit, të cilat arritën në përfundimin se krimi ishte kryer me porosi nga bashkëshorti i viktimës, Sadetin Sula, pronar i mobilerisë ku punonte Karmeshtna.
Karmeshtna iu drejtua Gjykatës Kushtetuese me një kërkesë për shfuqizimin e vendimeve, duke pretenduar se hetimet ishin të paplota, se ishin injoruar prova të rëndësishme dhe se disa prej tyre ishin mbledhur në mënyrë të paligjshme ose ishin të pavlefshme.
Megjithatë, kërkesa e tij u rrëzua nga një kolegj prej tre anëtarësh, i cili konstatoi se nuk kishte asnjë shkelje të të drejtave kushtetuese gjatë procesit gjyqësor.
Ngjarja ndodhi më 18 prill 2016, kur Fatjon Karmeshtna mbyti me duar Suela Sulën në tualetin e mobilerisë ku të dy punonin. Sipas hetimeve, motivi i vrasjes lidhej me dyshimet e Sadetin Sulës se bashkëshortja e tij po e tradhtonte dhe mund të kërkonte ndarjen, çka do të rrezikonte ta linte atë pa gjysmën e pasurisë.
Në dosjen hetimore u përfshi edhe një regjistrim audio, i realizuar nga telefoni i viktimës, ku dëgjoheshin biseda mes Sadetin Sulës dhe Karmeshtnës për mënyrën e kryerjes së krimit.
Fatjon Karmeshtna u arrestua në vitin 2018, rreth dy vjet pas ngjarjes, ndërsa hetimet arritën të provojnë se ai ishte ekzekutori i vrasjes, ndërkohë që Sadetin Sula rezultoi të ishte organizatori dhe porositësi i saj.
Me vendimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese, rruga ligjore për Karmeshtnën mbyllet, duke lënë në fuqi dënimin maksimal për një ndër ngjarjet më tronditëse të viteve të fundit në vend.